 Organizuar nga Departamenti i të Rinjve të Bashkësisë Islame të Kosovës, më 9 qershor u mbajt debat publik kushtuar nismës së Kuvendit komunal të Prishtinës, i cili ka paraparë në rregulloren e tij, që ndër të tjerat mos t’i lejoj nxënëset që bartin mbulesën islame të ndjekin mësimin në shkollat publike të nivelit të mesëm. Bartja e shamisë nga nxënëset në shkolla të mesme që nga pas lufta e këndej, në disa raste ka qenë shkas që disa drejtues shkollash, në vende të ndyshme të Kosovës, t’i përjashtojnë ato nga shkolla. Me këtë vendim arbitrar dhe jo kushtetues janë përballur këtë vit disa nxënëse në komunën e Vitisë dhe Ferizaj, andaj për këtë, kohë më parë në Prishtinë, qe organizuar një marsh- protestë duke filluar nga sheshi kryesore i Prishtinës, për të protestuar për disa minuta para selisë së qeverisë së Kosovës, e për të përfunduar para selisë së ministrisë së arsimit.
Edhe se vendimet e drejtorëve të shkollave për t’ua ndërpre mësimin nxënëseve të shkollave që bartin mbulesën islame, janë kundërshtuar nga institucionet që merren me mrbojtën e të drejtave të njeriut, si: KMDLNJ, Avokati i Populli, pastaj Bashkësia Islame e Kosovës dhe shumë asosacione nga shoqëria civile, drejtorët e shkollave, por edhe drejtoritë e arsimit në nivel komunal dhe zyrtarët e ministrisë së arsimit, janë treguar të shurdhër dhe kanë vazhduar me avazin e vjetër, duke mos u lejuar ndjekjen e mësimit normalisht nxënëseve që bartin shaminë. Për më keq, instancat e arsimit në Kosovë, nuk kanë zbatuar as vendimin e gjyqësorit, ngase Gjykata e Qarkut në Gjilan ka marrë vendim që nxënëset duhet që të kthehen në procesin e mësimit, megjithatë zyrtarëve të arsimit në Viti e Ferizaj, por edhe në rrethet tjera, kjo nuk u ka bërë as një përshtypje, ata kanë dal mbi ligjet e këtij vendi, kanë dal mbi vendimet e gjyqësorit. Për të qenë anakroni edhe më e madhe, Kuvendi Komunal i Prishtinës, ditë më parë në projekt-rregulloren për arsim, ka paraparë që, ndër të tjera, në shkollat e Prishtinës të ciklit të mesëm mos të lejohen të ndjekin procesin mësimor nxënëset që bartin shaminë, dhe për të qenë e keqja edhe më e rëndë, kuvendarët e Prishtinës, shaminë e shohin dhe e trajtojnë si dukuri negative, krahas me huliganizmin, drogën e vetit tjera devijante të shoqërisë. Kjo iniciativë e Kuvendit komunal ka zgjuar interesimin e një mase të madhe të Prishtinës dhe Kosovës, të cilët këtë nismë e konsiderojnë si antikushtetuese dhe joligjore, ngase e drejta e arsimimit dhe e drejta e lirisë së besimit janë të garantuar me Kushtetutën e vendit, ndërsa vendimi për t’ua mohuar të drejtën e shkollimit është i bazuar në aktet nënligjore, si udhëzime administrative e rregullore. Duke u nisur nga këto shqetësime, Departamenti i të Rinjve i Bashkësisë Islame organizoj një debat publik, ku megjithëqë ishte i ftuar, dhe i njoftuar me kohë, përfaqësuesi i Kuvendit Komunal nga Drejtorati për Arsim, Remzi Salihu nuk mori pjesë në këtë debat.
Fillimisht të pranishmeve në emër të organizatorit iu drejtua, mr. Fitim Gashi-udhëheqësi i Departamentit të të Rinjve të BIK, i cili ndër të tjerat tha: “Më lejoni që në emër të Departamentit të të Rinjve të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, t’iu shpreh mirëseardhje në këtë debat publik, ku do të debatohet rreth “Ligjshmërisë së bartjes së shamisë në shkollat publike”. Duke u nisur nga obligimi ynë njerëzor dhe përgjegjësia jonë morale e fetare, e ndiejmë më se të domosdoshme që të konsolidojmë një shoqëri të mirëfilltë, në të cilën do të respektohen të drejtat elementare njerëzore. Një shoqëri ku secili ka të drejtë të zgjedhë për vetveten, mënyrën dhe formën e pasqyrimit të vlerave dhe bindjeve të tij personale. Atëherë le të përpiqemi të sigurojmë një ambient të tillë ku njeriu do ta ndjejë veten të lirë që të zgjedhë petkun dhe veshjen që dëshiron, por gjithnjë duke marrë parasysh rrethanat e një etike tradicionale, e pse jo edhe fetare”. Avokat i Popullit, Sami Kurteshi, tha: “kohëve të fundit, ai dhe institucioni që e drejton, me apo pa dashje janë përfshirë në debatin rreth mbajtës së shamisë me rastin e një nxënëseje në njërën nga shkollat e komunës së Vitisë. Ne e kemi bërë edhe një raport për atë çështje dhe nga mendimet tona kemi konstatuar se largimi i nxënëses nga shkolla ka qenë i paligjshëm, madje nuk është respektuar as vendimi i një gjykate të rregullt të Republikës së Kosovës, e cila ka vendosur e bazuar në ligjin, që e drejta e nxënëses ta bart shaminë, në këtë rast, është e ligjshme. Dhe, ne vetëm kemi kërkuar që vendimet e gjykatave të rregullta, jo vetëm për këtë çështje, por për të gjitha çështjet të respektohen. Sa i përket këtij diskutimi unë mendoj jo vetëm që është i nevojshëm por është i domosdoshëm për shoqërinë tonë.” Teologu Jakup Çunaku, tha: “nga këndvështrimi i fesë islame do të doja të ndalem në një element shumë të rëndësishëm pse islami, çka është besimi në këtë rast. Islami është një program jete, për vet njeriun myslimanë, për familjen myslimane dhe për një shoqëri e cila pretendon që të jetë myslimane. Në kuptimin e fjalës islam dhe mysliman asnjëherë nuk tentojmë dhe nuk kemi për qëllim që t’i gëzojmë të drejtat tona si myslimanë dhe të tjerët ti anashkalojmë, ose t’ua marrim të drejtat e të tjerave. Mirëpo, vetë fjala islam thotë të gëzosh të drejtën tënde dhe njëkohësisht edhe të tjerët ta gëzojnë të drejtën e tyre në mënyrë të plotë. Allahu xh.sh. ka rregulluar dhe ka vënë dispozita të veçanta edhe rreth veshmbathjes së njeriut, qoftë për mashkullin, qoftë për femrën. Shami nga koncepti islam nuk është uniformë –shamia në kontestin islam nuk është simbol fetar, shamia është dispozitë e obliguar nga Allahu xh.sh..” Besa Ismaili – veprimtare nga shoqëria civile-, tha: “ajo grua që vë sot shami në Kosovë, ajo humb shumë para, sepse humb shansin për të qenë e edukuar, e arsimuar, për të pasur paranë e sajë, për të qenë e pavarur, dhe është absolutisht jashtë çdo logjike njerëzore të njeriut të vëmendshëm të mendoj se një grua e diskriminuar në çdo aspekt e pa punë, e pa shkollë, e margjinalizuar, të mendoj që ka para që e blen lirinë e saj. Përkundrazi, ata dhe vetëm ata që blihen e shiten me para, janë ata që mund të mendojnë një gjë të tillë. Çdo ndërhyrje në dinjitetin e një gruaje, të një njeriu që të vendos vet se si të vishet apo si të zhvishet, e shoh të padrejtë, atë të drejtë nuk e ka asnjë njeri në tokë, të vendos për të, vendos ajo vet. Unë konsideroj, nëse flasim ne kontestin e nxjerrjes së udhëzimit administrativë, një ndalesë e tillë është kundërproduktive, një ndalesë e tillë është shumë represive, sepse një grua duhet që të këtë të drejtën që të shkollohet, pavarësisht çka vesh apo si vishet.” Behxhet Shala, nga KMLDNJ, tha se: “Ky diskutim ka qenë dashur të mbahet shumë më herët, ngase ka kaluar koha kur kanë mundur të thuhen disa gjëra. Në kushtetutën e Kosovës thuhet që Kosova është shtet laik dhe ka qëndrim neutral ndaj feve. Ai nen është një formulim i papranueshëm, i cili lenë mundësinë e interpretimit të ndryshëm, pastaj prej asaj vie deri tek kjo gjendje. Bartja apo mosbartja e shamisë duhet që të rregullohet me ligj. Përderisa ka vakum ligjor, përderisa nuk është shprehimisht e ndaluar, atëherë nuk mund që të ndalohet, në këtë kontekst ne kemi reaguar gjithmonë edhe kur ka qenë e larguar ndonjë nxënëse nga shkolla apo kur ka qenë e diskriminuar, nuk është pranuar në punë, apo është larguar nga puna për shkak të bartjes së shamisë. Kemi raste megjithëqë i ka plotësuar të gjitha kushtet e konkursit një femër, vetëm pse ka bartur shaminë nuk është pranuar, dhe është pranuar një kandidate e cila ka qenë shumë më e dobët, mirëpo preteksti ka qenë krejt tjetër po përmbajtja ka qenë pikërisht pse ka barët shaminë nuk është pranuar. Kosova është një vend shumë i çuditshëm, ju mund ta adresoni një padrejtësi, duhet një kohë e gjatë dhe thjesht nuk ka një adresë, e cila thjesht mund t’u garantoj që një padrejtësi që është bërë, do të dal në mbrojtje, do të ndihmoj apo do ta zhvlerësoj një vendim të gabuar. Edhe në kontekstin aktual, përderisa nuk merret një vendim tjetër, largimi i nxënësve që bartin shami nga shkollat është i papranueshëm në aspektin e të drejtave të njeriut.” Amir Ahmeti - jurist dhe anëtar i Asamblesë Komunale të Prishtinës nga radhët e PD –, tha: “Neni 38 i Kushtetutës së Kosovës, garanton lirinë e besimit, ndërgjegjes dhe fesë, pika 1 e nenit 38 të kushtetues së Kosovës, pika 2 e nenit 38, thotë: liria e besimit, ndërgjegjes dhe fesë ngërthen të drejtën për të pranuar dhe për të manifestuar fenë, të drejtën për të shfaqur bindjen personale. Kushtetuta e vendit tonë e garanton shfaqjen e bindjeve personale.” Marigona Sekiraqa- kryetare e Këshillit të Nxënësve të Prishtinës-, tha: “Nuk besoj që mund të ketë ndarje mes nxënësve shkaku i shamisë. Shamia nuk të pengon as gjë për t’u shprehur, për të folur, respektivisht për t’i shpreh ato që një njeri i ka brenda. Vajzat me shamia janë si të gjitha ne, nuk ka asnjë qëndrim tjetër ndaj tyre sa i përket shokëve të shkollës.” Ardian Bajraktari, nga Parlamenti Studentor të UP-së,- tha: “Bartja e shamisë në shkolla nuk e pengon integrimin e Kosovës në Evropë, por ana e kundër që merr vendime joligjore dhe që nuk zbaton vendimet e gjyqësorit, pengon integrimin sa më të shpejtë të Kosovës në Bashkimin Evropian.”
|