 Të martën , më 23 mars në Prishtinë në një ambient të bukur në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporeve , organizuar nga Departamenti i të Rinjve të Bashkësisë Islame të Kosovës, në bashkëpunim me Këshillin e BI të Prishtinës, u mbajt manifestimi përmbyllës kushtuar datëlindjes e pejgamberi, Muhamedit a.s. me moton “Muhamedi a.s. shëmbëlltyrë për mbar njerëzimin”. Në këtë manifestim qenë të pranishëm një numër i madh i besimtarëve nga të gjitha qendrat e Kosovës. Manifestimi në Prishtinë qe përmbyllje e aktiviteteve të organizuara nga Këshillat e Bashkësisë Islame anë e kënd Kosovës që nga 12 rebiuleveli e këndej.
Në shënim përmbyllës kushtuar datëlindjes së pejgamberit fillimisht për shëmbëlltyrën e tij, Muhamedit a.s. foli, Myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnava, i cili fillimisht tha: “Jemi tubuar sot, në këtë sallë për të rikujtuar edhe njëherë Muhamedin a s. edhe pse prezenca e tij në vazhdimësi është tek qindra miliona besimtarë anë e këndë botës. Edhe me këtë rast le të madhërojmë Allahun dhe të kërkojmë begatitë e Tij, le t’i dërgojmë përshëndetje Pejgamberit fisnik. Të gjitha lavdërimet tona janë për Allahun, favoret e të Cilit janë shkaku i vetëm i të gjitha arritjeve dhe veprave të mira, begatitë qofshin për krijesën e Tij më të lartë, gjithashtu, bekimet qofshin mbi shokët e ndjekësit e tij deri në Ditën e Ringjalljes”. Ndërsa, duke folur për traditën e kremtimit të datëlindjes së pejgamberit, Muhamnedit a.s. te ne, Myftiu Tërnava tha: ”Bota islame i gëzohet ardhjes në këtë jetë të Muhamed Mustafasë nëpërmjet rikujtimit të ditëlindjes së tij. Kur myslimanët në këtë apo atë mënyrë festojnë në shenjë respekti ditëlindjen e Muhamedit a.s. Kur mbahen manifestime të shumta kushtuar shëmbëlltyrës së tij, jetës e veprës së tij. Kur Allahu e melaiket luten për të në vazhdimësi. Kur myslimanët e mbarë botës luten për Muhamed Mustafanë. Kur festat islame edhe më ia shtojnë krenarin fes sonë. Kur myslimanët në shenjë respekti lexojnë e këndojnë poezi-mevlud në gjuhë të ndryshme të botës. Kur kujtojmë sistemin komunist dhe rolin e mevludit në shoqërinë kosovare. Vërtetë me plot gojën themi se mevludi në Kosovë pati një domethënie të madhe në ruajtjen e identitetit islam, ndaj me krenari të madhe këndojmë e lexojmë mevlude e mbajmë tubime për këtë shëmbëlltyrë të pa përsëritshme në historinë njerëzore. Festen e mevludit, të Isras e Miraxhit etj”. Aktori Basri Lushtaku para të pranishëm u paraqit me monologun kushtuar pejgamberit, ndërsa kori i imamëve në përbërje Hasan ef. Salihu- imam nga Prizreni, Selim Buzolli-haxhi nga Mitrovica, Ferat Gërguari - imam nga Vushtrria, Jahir Beqiri - imam nga Prishtina, Sallah Feta - imam nga Prishtina, Mustafë Dervisholli – imam nga Prishtina kënduan pjesë nga Mevludi i rilindësit tonë të njohur Tahir ef. Popova, apo siç njihet tek ne mevludi tradicional. Ndërsa, Avdush Krosa nga Ferizaj dhe Hfz. Abdurrahmini nga Shkupi – kënduan ashere nga Kurani. Organizatorët u shprehen se një manifestim i tillë do të jetë tradicional.
|