Bashkėsia Islame e Kosovės

Ajet kuranor:

18:3. Duke qenė nė tė pėrgjithmonė.

Propozimet e bashkėsive fetare tradicionale tė Kosovės pėr Kushtetutėn nuk janė marrė parasysh Printoni E-mail
Sekretari i Kryesisë së BI të Kosovës Resul Rexhepi flet për vërejtjet dhe sugjerimet që bënë bashkësitë fetare tradicionale në Draft-Kushtetutën e Kosovës

Pjesa më e madhe e propozimeve e sugjerimeve të bashkësive fetare
nuk janë marrë parasysh nga Komisioni Kushtetues


Më 4 prill 2008, Kuvendi i Republikës së Kosovës, në seancë solemne miratojë Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Miratimi i Kushtetutës së Kosovës është një ngjarje e rëndësishme për historiografinë më të re të Kosovës, dhe lirisht mund të themi se pas 17 shkurtit, kur po Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë e vendit, miratimi i Kushtetutës është ngjarja më e rëndësishme, ngase me këtë akt edhe praktikisht Kosova bëhet edhe me aktin më të lart juridik – Kushtetutën e vendit.
Duke marrë parasysh gjendjen në të cilin gjendet Kosova, në këtë fazë pas pavarësisë, ku e tërë vëmendja është përqendruar tek konsolidimi i shtetit më të ri në botë, i cili dorën në zemër po përballet me sfida të ndryshme nga politika dhe diplomacia e orkestruar serbo- ruse, mënyra e miratimit të kushtetutës lenë shumë për të dëshiruar, ngase megjithëqë u mbajte një debat (diskutim publik) me opinion, ky lloj debati, që më shumë ishte një njoftim i opinionit me Draftin kushtetues sesa debat e diskutim publik  i mirëfilltë, u krye në një kohë të shkurtë, pa pasur mundësi të duhur që opinioni  dhe grupet e interesit të japin mendimet e tyre.
Duhet të jemi koshient se Drafti Kushtetues është i përgatitur në bazë të planit të Ahtisarit dhe kompromiseve me faktorët ndërkombëtar. Andaj Komisioni Kushtetues i Kosovës, megjithëqë mbajti gjoja një diskutim publik, në fund thuajse nuk mori asgjë parasysh nga vërejtjet që iu bën draftit në tubimet me qytetarët dhe grupet e interesit.
Projekt - Kushtetutën e Kosovës me shumë kujdes e kishin analizuar edhe ekspertët e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe ata të Ipeshkvisë katolike, pra të dy institucioneve që udhëheqin me bashkësitë tradicionale të Kosovës, apo thënë më mirë të dy institucioneve fetare shqiptare.
 Ndërsa udhëheqësit e Kishës Ortodokse serbe nuk u morën fare me Kushtetutën e Kosovës duke e injoruar dhe mos e pranuar.
Ekspertët e Bashkësisë Islame të Kosovës fillimisht analizuan Draft- Kushtetutën e Kosovës, dhe më pas bënë edhe vërejtjet e tyre, të cilat ia dërguan Komisionit Kushtetues me të cilët edhe bashkëbiseduan dhe debatuan për mënyrën e inkorporimit të vërejtjeve e sugjerimeve. Pos kësaj Bashkësia Islame e Kosovës dhe Ipeshkvia e Kosovës apo thënë më mirë ekspertët e dy bashkësive fetare harmonizuan qëndrimet dhe të njëjtat ia dërguan Komisionit Kushtetues. Por fatkeqësisht Komisioni Kushtetues me gjithë premtimet se do t’i marrë parasysh sugjerimet e bashkësive fetare kjo mbeti vetëm një premtim ngase asgjë nuk mori parasysh nga propozimet dhe sugjerimet e propozuara nga bashkësitë fetare.
Për të kuptuar më mirë se çka në të vërtet ekspertët e bashkësive fetare i sugjeruan Komisionit Kushtetues ne biseduam me sekretarin e Kryesisë së BI të Kosovës H. Resul Rexhepin.


D.I.: Fillimisht na thoni si e keni perceptuar hartimin e Draftit të Kushtetutës?

Resul Rexhepi: Duke qenë se Kushtetuta është akti më i lart juridik i një shteti, rëndësia e të cilit është e padiskutueshme, në veçanti për rrethanat tona, unë kam kujtuar se diskutimit publik do t’i kushtohet rëndësi më meritore, se do të merren parasysh vërejtjet, propozimet dhe sugjerimet e atyre që nesër pas gjysmës së qershorit do të veprojnë sipas saj. Fatkeqësisht një gjë e tillë nuk ndodhi. Për më tepër, draft-Kushtetuta më shumë i përngjante një përkthimi jo edhe aq të bukur, diskutimi publik qe më shumë simbolik se sa dinjitoz, propozimet  e arritura nuk u përfillën aq sa duhej dhe në fund edhe miratimi i të njëjtës u bë ashtu siç u bë. Me qenë se ne dëshirojmë që shtetin tonë të ri ta ndërtojmë në baza të shëndosha, ku rol tepër të veçan luan pikërisht Kushtetuta, jam thellë i bindur se me këtë rast asaj nuk ia kemi dhënë hakun.
Image
D.I.: Cilat janë vërejtjet themelore të Kryesisë së BI të Kosovës?

Resul Rexhepi:Gjatë kohës sa projekt-Kushtetuta ka qenë në diskutim publik, ne këtë e kemi marrë me seriozitetin më të madh, madje jemi konsultuar edhe me ekspertë, me qëllim që të kontribuojmë në këtë drejtim. Ne kryesisht jemi fokusuar në ato pjesë gjegjësisht dispozita që kanë të bëjnë me bashkësitë fetare, jo pse të tjerat nuk na kanë interesuar por me qëllim që ato t’i lëmë secilit për fushën e vet. Natyrisht edhe me rastin e propozimeve tona vazhdimisht e kemi pas në konsideratë edhe “Pakon e Ahtisarit”.
Vërejtjet tona kanë qenë parimore duke filluar tek përkufizimi i shtetit, pastaj, shteti laik, e drejta e jetës, e drejta e martesës dhe familjes, liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë, dhe ajo që ka të bëjë me konfesionet fetare.

D.I.: A janë marrë në konsideratë vërejtjet dhe sugjerimet e juaja?

Resul Rexhepi:  Fatkeqësisht, pjesa më e madhe e propozimeve tona nuk janë marrë parasysh, ose  janë modifikuar në atë mënyrë sa që në fakt nuk ofrojnë atë që ne kemi propozuar. Ne, me dashamirësinë tonë më të madhe, kemi shkuar në minimumin e mundshëm, pra, vetëm në ato nene të cilat kanë të bëjnë me bashkësitë fetare dhe besimtarët tanë. Për të qenë çudia edhe më e madhe, ne pasi që vërejtjet dhe propozimet tona ia kemi dërguar komisionit kushtetues, së bashku me përfaqësuesit e Kishës katolike kemi debatuar edhe me kryetarin dhe disa anëtarë të këtij komisioni, të cilët edhe pse na kanë prit me fjalë miradije, megjithatë, propozimet tona kanë ngelur të papranueshme. Madje, për disa ndërhyrje tona, siç është rasti me nenin 37, pika 2, na kanë pohuar se do t’i rregullojnë me ligj, sa kohë që dihet se ligjet duhet të jenë të përputhura me Kushtetutë e jo edhe e kundërta.

D.I.: Si e vlerësoni pozitën e bashkësive fetare në Kushtetutën e Kosovës?

Resul Rexhepi: Pozita e bashkësive fetare, në veçanti ajo juridike, nuk është e rregulluar siç kemi dëshiruar ne, duke filluar nga laicizmi e deri tek financimi, ose aspekti material e të ngjashme

D.I.: Si e shihni që Kushtetua e Kosovës, në një farë mënyre lejon madje homoseksualizmin?

Resul Rexhepi: Me gjasë po, ose së paku është lënë e pa definuar plotësisht, kështu që mund të interpretohet në dy mënyra. Ne kemi kërkuar që nenit 37, pika 2 t’i shtohet “...e gjinive të kundërta” gjë që nuk është pranuar. Me këtë rast ne kemi potencuar se jemi thellësisht kundër legalizimit të martesave të gjinisë së njëjtë, për faktin se kjo është në kundërshtim të plotë me vet natyrën e njeriut, është në kundërshtim me traditën tonë shekullore, për më tepër, si e tillë është kundër Krijuesit të saj.
Formulimi që është dhënë në versionin përfundimtar të Kushtetutës lenë mundësinë e keqinterpretimit dhe rrjedhimisht edhe të keqpërdorimit.

D.I.: Ju keni harmonizuar qëndrimet edhe me Kishën katolike, pasi që keni parë që nuk jeni përfillur çfarë qëndrimin do të mbajnë dy bashkësitë a keni pas takim në nivel të ekspertëve.

Resul Rexhepi:  Është shumë e vërtetë se me Kishën Katolike të Kosovës për këtë çështje shumë të rëndësishme kemi bashkëpunuar  dhe i kemi dërguar vërejtjet tona dhe i kemi dorëzuar tek komisioni. Më pastaj, kemi organizuar edhe një takim, siç përmenda më herët, me shumicën e anëtarëve të komisionit kushtetues. Tani, pas miratimit të Kushtetutës, akoma nuk kemi pas rast të bisedojmë për këtë çështje. Kujtoj se gjatë ditëve në vijim mbase do të bisedojmë edhe me ta, ndërkaq çka do të ndërmarrim, unë nuk dëshirojë të prejudikoj.

(biseduan: B. Simnica & R. Shkodra)
 
< I mėparshmi   Tjetri >